PD: Të pastrohet parlamenti dhe administrata nga krimi

Kreu i PD-së Lulzim Basha e ka cilësuar një ngjarje tragjike për kryeqytetin vrasjen e katërfishtë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në një lokal nate përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Sipas Bashës më e rendë është heshtja e kryeministrit. "Një heshtje varri ka pushtuar qeverinë që prej mëngjesit të sotëm (djeshëm), ku katër persona u vranë me armë zjarri në mes të Tiranës. Ngjarja është e rëndë, por më e rëndë fshehja e kryeministrit që gjen kohë të shkruaj për çdo gjë, por sot nuk gjeti dot një fjali për vrasjen makabër. PD ka denoncuar me fakte dhe argumente promovimin e krimit prej Edi Ramës në Kuvend, politikë dhe administratë". Por, sot është faktuar më së miri se krimi ka gjunjëzuar policinë dhe shtetin. Fëmijë pushtetarësh lëvizin të armatosur pa frikën e policisë që merret me gjithçka përveç rendit dhe sigurisë. Rama, i ka hapur luftë çdo qytetari të këtij vendi por jo kriminelëve që ai vetë i ka promovuar në parlament, në administratë dhe kudo” tha Basha. Ndërkohë që lideri i demokratëve bëri edhe një apel në drejtim të qeverisë për pastrimin e saj nga krimi. “Apeli i PD të cilit i janë bashkuar sot (dje) të gjithë qytetarët është pastrimi i parlamentit, politikës dhe administratës nga krimi dhe lidhjet e tij" u shpreh Lulzim Basha. Ndërkohë që në rrjetin social “Facebook” ka reaguar edhe ish-kreu i opozitës, Sali Berisha. Tirana u gdhi e përgjakur nga një bandë qeveritare shkruan Berisha.

“Të dashur miq, Tirana sot (dje) u zgjua e përgjakur. 4 djem të rinj të vrarë nga një nga bandat e qeverisë në rrugën absolutisht më të sigurt të vendit. Tirana sot (dje) nuk do ishte e përgjakur dhe këto katër jetë nuk do ishin marrë mizorisht sikur banda të mos kishte pasur mbështetjen e qeverisë dhe imunitetin e parlamentit”- shkruan Berisha. Më tej ai thekson se policia deri tani hesht për masakrën e bandës së saj, por dëshmitarët dhe mediet pohojnë se ekzekutor kryesor i katër të rinjve është Kostandin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani, i cili pak vite më parë ekzekutoi afër shtëpisë së tij një bashkëmoshatar. “Por duke përdorur imunitetin parlamentar të nënës së tij, lidhjet e saj politike me kupolën e PS dhe Edi Ramën, I. Ramën dhe B. Topin vrasësi nuk vuajti as dhe një vit dënim.

Pas lirimit ai vendosi selinë në zonën elektorale të deputetes Xhuvani, bënte ligjin në këtë zonë dhe në ato përreth dhe ishte financues i PS dhe kryesor në drogën në Lazarat. Ditën që e ëma e rrokte dhe puthej me të në mjediset e parlamentit ai drejtonte daljen nga Lazarati të karvanit të trafikanteve” shkruan Berisha. Me anën e një deklarate për shtyp reagoi edhe kreu i grupit parlamentar i PDsë, Edi Paloka duke shfaqur disa dokumente që sipas PD-së vërtetojnë faktin se Kostandin Xhuvani ishte shpallur në kërkim që në 26 prill 2014, por nuk është ndaluar kurrë nga policia. Kryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka akuzon qeverinë dhe kryeministrin Rama për moszbatim të ligjit, duke marrë në mbrojtje Kostandin Xhuvanin. Sipas Palokës, “nëse ligji do të zbatohej njësoj për të gjithë, autori i krimit të sotëm që mori katër jetë do të ishte ndaluar në oborrin e parlamentit, ku u soll me vrik nga Gjirokastra me mjete të ushtrisë, për t’i shpëtuar aksionit të policisë dhe për ta përdorur para kamerave edhe këtë rast si sulm ndaj opozitës" tha Paloka. “Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia që në 26 prill, pasi ka kanosur me armë qytetarët në Gjirokastër”- deklaroi Paloka.
Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment