Trendi i momentit, aksesorë dekorativë dhe funksionalë!!!

Dimri konsiderohet si stina ku mundësitë për t’u veshur bukur janë minimale. E ftohta të kushtëzon të kombinohesh apo të veshësh materiale të lehta. Prandaj, për të tejkaluar këtë vështirësi të stinës, në ndihmë vijnë aksesorët që na bëjnë të jemi “in” në fushën e modës. Veshja dhe aksesorët zënë një pjesë ë rëndësishme të jetës sonë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, stilistja Zina Kondi tregon se, moda për sezonin “Dimër 2014”, influencon përdorimin e aksesorëve, jo vetëm si elemente dekorues, por edhe me një përdorim funksional, shpeshherë të kombinuar në ngjyrë apo edhe copë me veshjen. Mënyra se si vishemi gjatë përditshmërisë është tregon pak a shumë një mënyrë përfaqësimi, është strategji personale në atë çfarë ne duam të transmetojmë për imazhin. Prandaj, përzgjedhja dhe kombinimi i tyre është një detaj që kërkon vëmendje.
Zonja Kondi, çfarë hapësire u është lënë aksesorëve në koleksionet e veshjeve dimërore?
Në modën e sotme ndikimi i aksesorëve është i madh, kështu që influenca e aksesorëve është kudo e pranishme, aq më tepër që në dimër janë pjesa më e dukshme që bie në sy, duke pasur parasysh koloritin e pasur dhe vizualitetin efektiv. Bëhet fjalë për varëse masive, që shpeshherë kanë funksion bizhu-veshje, siç është rasti i bizhuve që kanë përdorim. Këpucët janë të mbushura me punime me gurë dhe qëndisje, dorashkat po ashtu. Ndërsa si trend i sezonit janë fashat që përdoren në kokë në vend të kapuçit, por që flokët i lënë jashtë dhe të bëjnë të shijosh ngrohtësinë, por edhe modelimin e flokëve. Përmendim këtu dhe çantat e leshta me objekte, zbukurime dhe ornamente dhe qëndisje të ndryshme, që shpeshherë paraqesin një pikturë a qëndisje, ose një fabul të tërë.
Kush prej këtyre aksesorëve duhet të përdoret më shumë?
Sigurisht që, në stinën e dimrit përdorim më të madh kanë kapelat, kapuçat, dorashkat (me një gamë të gjerë në materiale, lëkurë, lesh, dantellë për vente, si edhe me majën e gishtave të hapur për përdorim funksional sa më praktik). I pandashëm është sidomos shalli i të gjitha madhësive dhe i të gjitha llojeve të materialeve, dizenjo dhe ngjyra, që të jenë funksionalë dhe të dominojnë në kombinime.
Cilat janë ngjyrat dhe materialet e përdorura në këta aksesorë në sezonin “Dimër 2014”?
Tendencat e modës së veshjeve dhe aksesorëve janë në të njëjtën linjë. Materialet e sezonit janë materialet e ngrohta dhe të lehta si: gëzofi, kashmiri, leshi, fibrat dhe mikrofibrat, lëkura, gurët dekorativë, pjesët metalike e zinxhirët, të gjitha këto të kombinuara në mënyrë funksionale dhe dekorative.
Po bizhuteritë, a gjejnë hapësirë në koleksionin “Dimër 2014”?
Moda në kohët e sotme është një binom i përhershëm veshje dhe bizhuteri për të vetmen arsye, që në ideim, stilim dhe krijim punimet janë në të njëjtën linjë përdorimi dhe funksionimi. Shpeshherë kanë filluar të përdoren materiale që janë implimentuara në veshje dhe në bizhu, si pjesë të të njëjtit koleksion, (materiali i veshjes përfshihet në bizhu dhe në të njëjtën mënyrë materiali i bizhuterisë përfshihet në veshje).
Cila është e veçanta e këtij sezoni që konsiderohet tendencë?
Në rrafshin e bizhuterive vazhdojnë të dominojnë bizhutë masive, por tendenca tani është se, ato shfaqen të rrafshëta jo me reliev. Ndërsa për veshjet janë palltot oversize, fustani tute-sweater dress, skinny pants ( me lëkurë, kombinim lëkurë-tekstil, material elastik dhe me dizenjo nga më të ndryshmet) dhe çantat me gëzof, si dhe çizme gome kryesisht të gjata, (që dhe të ketë kombinime materialesh të ndryshme si: gomë, lëkurë, tekstil, dhe gomën ta ketë transparente me ngjyrë dhe dizenjo).
Cilat janë ngjyrat dhe materialet më të përdorura?
Spektri i  ngjyrave dhe koloriteve është shumë i gjerë, pothuajse të gjitha ngjyrat janë prezente, por dominojnë ngjyrat gri, vishnje, jeshile, kamel dhe të kudondodhurat e zeza dhe bezha. Për copat dihet që janë materialet e ngrohta si: gëzofi, kashmiri, leshi, pupla dhe tekstile alternative, por tani theksi po vihet në materialet e lehta dhe termike.
Çantat dhe këpucët
Po për çantat dhe këpucët, çfarë mund të themi?
Këpucët janë pjesa kryesore e veshjes në dimër për rolin funksional të përdorimit, si edhe për efektin masiv. Moda e sotme e këpucëve është mjaft e sofistikuar dhe shpesh konsiderohet si art. Këpucët kanë shumëllojshmëri formash dhe ngjyrash, edhe përfshijnë në prodhim shumë materiale përveç lëkurës si: plastik, metal, tekstil, llastik, gurë dekorativ dhe elemente të tjerë zbukurues. Ndërsa format e këpucëve kanë bërë evoluim të madh (nga më të çuditshmet dhe ekstravagantet), por pa dëmtuar komoditetin në ecje dhe funksionin praktik. Sivjet këpucët platformë të trasha janë modeli më “IN”, në versionin sportiv apo dhe elegant.

Sezoni  “Dimër 2014”, materiale të plota dhe femërore

Moda po bëhet gjithmonë dhe më e gjerë duke u dhënë mundësinë njerëzve me shije të ndryshme ta gjejnë veten në shumë koleksione. Megjithëse stina e dimrit nuk të jep shumë liri në përzgjedhjen e veshjeve dhe të kombinimeve, serish nga kryeqytetet e modës vijnë risi. Materialet dhe ngjyrat rivijnë në forma dhe kombinime që i bëjnë ato të jenë në trend të stinës. Mbretëresha e ngjyrave, e cila kurrë nuk mungon në asnjë koleksion, dhe aq më pak në dimër, pozicionohet shumë favorite në koleksionin “Dimër 2014. Megjithëse, duhet thënë që këtë vit ajo vjen disi më e ftohtë, duke kaluar në të kaltër të mbyllur, ose blu të errët. Imazhi i femrës në “Dimër 2014” vjen e errët, intensive dhe klasike. E kaltra e errët, e importuar nga Marina Mbretërore Britanike, është përshtatur në botën e modës si ngjyra më e shquar në stinën e ftohtë.

Gjatë kësaj stine duhet të bësh një kompromis mes të qenit e bukur, por edhe duke u ruajtur nga të ftohtit. Prandaj veshje shumë e rëndësishme është palltoja. Këtë sezon ato vijnë me materiale të plota, si për shembull leshi, janë pjesë e domosdoshme e koleksionit stinor gjatë dimrit. Palltot paraqiten në ngjyra dhe nuanca të ndryshme, në stile të ndryshme nga klasikja tek urbania. Nuk mungojnë as printimet. Shfaqen më pak lulet, por gjithsesi nuk mungojnë. Në koleksionet e veshjeve “Dimër 2014”, një përdorim mjaft të gjerë pati edhe stofi. Kjo pëlhurë leshi elegante e rishfaqi veten në forma të ndryshme. Këtu vërehet ndikimi legjendar i Coco Channel, i cili e feminizoi këtë pëlhurë tipike mashkullore. Kështu mund të shohim të përdorur dendur, jo vetëm pantallona dhe funde prej stofi, por edhe fustane dhe pelerina. Stofi tradicional skocez paraqitet në këtë sezon në mënyrë moderne. Fustanellat skoceze po bëhen burim frymëzimi për dizajnuesit më të njohur botërorë. Me këtë copë, stilistët kanë luajtur jo vetëm me prerjet, por edhe me kombinimet e ngjyrave. 

Për ata që pëlqejnë të jenë jo-konformist mund të zgjedhin stilin e viteve ’80. Për më të guximshmit vijon të përdoret edhe lëkura e kombinuar me rrjetat metalike. Ndërsa për femrat më klasike është menduar ngjyra e bardhë e cila shfaqet në të gjitha veshjet dhe aksesorët.
Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment