Rama në Beograd, arrestohen tre atentatorë?

Autoritetet serbe në Beograd thonë sa kanë arrestuar tre persona, për të cilët dyshohet se i përkasin një bande vendase, e cila kishte planifikuar t’i bënte atentat kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës që do të nisë në Serbi në 10 nëntor. Sipas lajmit të trametuar nga agjencia e lajmeve “Presheva jonë”, në prag të vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd, në qendër të kryeqytetit serb mbrëmjen e të enjtes, është arrestuar një bandë prej tre personash që dyshohet të jenë atentatorët e Edi Ramës, pavarësisht se pas 24 orësh arrestimi, asgjë nuk u tha zyrtarisht nga autoritetet serbe rreth këtij arrestimi, përveç mediave që shkruan dy-tre rreshta duke raportuar si lajm.“Policia speciale, mbrëmë (të enjten), ka ndalur një veturë të tipit BMW, ku pas kontrollimit të pasagjerëve, pas 45 minutash ka arrestuar tre persona në qendër të Beogradit. Personat janë dërguar nën ruajtjen e njësive të mëdha speciale drejt stacionit policor”, njoftoi agjencia e lajmeve “Presheva jonë”, duke ju referuar mediave serbe.
Sipas Radio- Televizionit Serb (RTS) tre personat e dyshuar u arrestuan në qendër të kryeqytetit serb në këndin mes rrugëve “Takovske” dhe “Svetogorske”, të cilët me pas të shoqëruar nga policia, u dërguan në drejtim të “Nëna Jevrosime” (Majka Jevrosime). Lajmi për arrestimin e tre të dyshuarve, nuk u shoqërua më pas me shpjegimesh në detaje se kush ishin ata, pse u arrestuan dhe ç’ndodhi me ta, pse makina ishte me targa të Bujanovcit, nëse ishin kontabandistë, apo sa kilogramë drogë u bllokua?-shkruan “Presheva jonë”, e cila më pas shton me habi: “Pra, asnjë fjalë për këtë arrestim me një pjesëmarrje maratonike të policisë dhe njësive speciale kundër terrorizmit. Dyshimin edhe më shumë e shtoi lajmi se ata mund të ishin atentatorët e Edi Ramës dhe se bandat nga Serbia po përgatiten për vizitën e Ramës në Beograd, që të shkaktojnë trazira. Sipas medias shqiptare në Serbi, nëse heshtet apo nuk dilet zyrtarisht rreth arrestimeve të mbrëmshme të kësaj bande nga policia serbe, gjithçka mund të dyshohet, nëse anëtarët e grupit mund të ishin atentatorët e Edi Ramës. “Presheva jonë” nga ana tjetër shkruan se “Edi Rama po planifikon ta vizitojë Preshevën...”.
Duke cituar burime nga zyra e kabinetit të qeverisë serbe, agjencia e lajmeve “Presheva jonë” shkruan se: “nuk ka asgjë zyrtare rreth vizitës së kryeministrit Edi Rama në Preshevë. Ne mund t’ju konfirmojmë vetëm një gjë zyrtare, se Rama më 10 nëntor do të gjendet në Beograd. Sa i përket Preshevës, vetëm mund të spekulojmë, sepse Beogradi ende nuk i ka dhënë dritën jeshile kësaj vizite të të parit të qeverisë shqiptare”. Sipas mediave serbe, përfaqësues të ambasadës shqiptare në Beograd flasin për një vizitë njëditore të Ramës në Preshevë. Sipas të njëjtave burime, ata kanë marrë një autobus privat me qira në Beograd ku do të transportohet delegacioni shqiptar me rreth pesëdhjetë veta së bashku me Ramën drejt Preshevës, ku në krye do të jetë një flamur shqiptar. Konfirmimi për vizitën e Ramës në Preshevë vjen dhe nga pala shqiptare.
Burime nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Jashtme konfirmuan për “Shekullin” se vizita në Preshevë është e panegociueshme edhe pse pala serbe ka këmbëngulur për anulimin e saj. E vetmja gjë për t’u detajuar duket se është përmbajtja e fjalimit të kryeministrit Rama në Preshevë, për të cilin pala serbe ka shprehur një interesim të veçantë. Pritet që sot të zyrtarizohet axhenda e detajuar por ndërkohë “Shekulli” ka mësuar se sipas planit të miratuar paraprakisht, gjithçka do të vijojë sipas asaj që ishte parashikuar në vizitën e 22 tetorit, e cila u shty pas incidentit të ndodhur në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, të zhvilluar në stadiumin e “Partizanit” në Beograd, mbrëmjen e 14 tetorit. E vetmja gjë që pritet të ketë devijim është takimi me presidentin e Serbisë. Mësohet se në 10 nëntor presidenti Nikoliç ka parashikuar një vizitë jashtë Serbisë. Ndërkohë që nuk ka ndryshuar axhenda e ditë së dytë, ajo e vizitës në Preshevë.
Mijëra policë serbë në ruajtje të delegacionit
“Kryeministri shqiptar blindon Beogradin...”, “Mysafirin nga Tirana e presin me 2.000 policë...”, “Nga Beogradi me dron dhe me autobus drejt Preshevës...”. Janë këta vetëm disa nga titujt e mediave serbe që flasin për vizitën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Beograd më 10 nëntor apo edhe në Preshevë më 11 nëntor Autoritetet serbe po përgatiten për vizitën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Beograd, e parashikuar për në datën 10 nëntor. Gazeta serbe “Kurir” shkruan se policia serbe do të marrë masa të larta sigurie dhe mijëra efektivë do të angazhohen për sigurinë e kryeministrit shqiptar. Duke ju referuar burimeve nga policia serbe, “Kurir” thekson se masat e sigurisë do të jenë të ngjashme me masat e marra gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin, Joe Biden apo Hillary Clinton.
Por sipas gazetës, nuk dihet ende nëse kryeministri shqiptar do të ecë në këmbë në Beograd, pasi në këtë rast do të nevojiteshin masa shtesë. Mësohet se shefi i qeverisë shqiptare dhe delegacioni që do ta shoqërojë do të qëndrojnë në Beograd në hotelin me 5 yje, “Hyatt”. Vizita e kryeministrit shqiptar në Beograd ishte parashikuar për në tetor, por incidentet ndodhura gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri e shtynë atë në 10 nëntor.
Draft- Programi i 22-23 tetorit
Dita e parë
Mbërritja në aeroportin e Beogradit. Delegacioni pritet nga një autoritet i lartë, mandatuar nga qeveria serbe si dhe nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd. Ceremoniali: tapet i kuq dhe një roje nderi. Nisja drejt HOTEL “Hyatt”.
11:00 - Delegacioni mbërrin në Pallatin Serbia ku kryeministri serb i uron mirëseardhjen kryeministrit shqiptar ndërsa luhen himnet kombëtarë. 11:10 - Takim kokë më kokë midis dy kryeministrave.
11:30 - Takim midis dy delegacioneve.
12:00 - Nënshkrimi i marrëveshjeve.
12:15 - Konferencë për shtyp e dy kryeministrave.
13:00 - Takim në Pallatin Serbia midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë.
13:45 - Takim me Kryetaren e Asamblesë Kombëtare serbe në godinën e Skupshtinës.
14:30 - Drekë zyrtare ofruar delegacionit shqiptar.
16:00 - Nisje për në HOTEL e delegacionit. Kohë pushimi.
18:00 - Panel i organizuar nga Dr. Dusan Janjic dhe Forumi për Marrëdhëniet etnike me temë “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë”.
19:30 - Nisje me veturë nga vendi i zhvillimit të panelit drejt bashkisë së Beogradit ku kryeministri shqiptar do të marrë çelësin e qytetit nga kryebashkiaku dhe më pas do zhvillojë një takim kokë më kokë me të.
20:15 - Shëtitje me këmbë në Beograd
20:45 - Darkë në një restorant tradicional “Gjahtari”, të propozuar nga ambasada jonë në Beograd.
Dita e dytë
7:00 - Nisje për në Preshevë e delegacionit (dy vetura, një minivan).
11:00 - Mbërritje në Preshevë në sheshin “Liria” përpara godinës së këshillit komunal.
11:10 - Dalje në sheshin “Liria” dhe fjalim në podium.
11:30 - Shtrëngim duarsh me pjesëmarrësit dhe ecje në këmbë deri te materniteti i financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare, për të parë gjendjen e qendrës spitalore.
12:00 - Nisje për në restorantin “Rozafa”, rrugës për në Bujanovc. Drekë me personalitetet politike vendore.
14:30 - Mbërritje në Bujanovc dhe ndalesë në shkollën e mesme “Shezai Surroi”.
15:15 - Vizitë e shkurtër dhe përshëndetje në fabrikën “Protex”.
15:45 - Nisje për në pikën kufitare serbo- kosovare të Konculit.
16:10 - Mbërritje në Koncul dhe largim nga territori serb
Bushati: Kapitull i ri në marrëdhëniet me Serbinë
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në një intervistë për median gjermane “Euractiv” thekson gatishmërinë e Shqipërisë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë. I pyetur mbi shtyrjen e vizitës, Bushati ka sqaruar se të dy kryeministrat patën një mosrakordim për shkak të incidenteve të dhunshme rreth ndeshjes së futbollit midis Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd.
“Pas një telefonate ata kanë arritur një marrëveshje mbi një datë të re, 10 nëntor. Ne jemi të vendosur për të përmbushur këtë afat. Ne duam të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet tona”, - ka shtuar ai. Ministri ka dënuar edhe njëherë atë çka ndodhi në Beograd dhe ka shtuar se marrëdhënia mes dy vendeve nuk ka qenë gjithmonë e lehtë në të kaluarën.
“Por tani ne duhet të shikojmë përpara dhe të mendojmë për të ardhmen tonë të përbashkët, perspektivën e anëtarësimit në BE”, - ka pohuar ministri. Sa i përket rrezikshmërisë së tendencave nacionaliste të Shqipërisë, Bushati ka thënë se: “Mbi këtë incident unë nuk do të bëja asnjë lidhje me tendenca nacionaliste në Shqipëri. I vetmi projekt kombëtar që vendi ynë po ndjek është pranimi në BE”.
Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment