‘Doktor Flori’ përcillet sot në banesën e fundit, homazhe në hollin e TVSH!!!

Tirana u zgjua edhe sot me hidhërimin për humbjen e njërit prej djemve të saj. Kantautori Florian Kondi, ose siç e njihnin të gjithë, Doktor Flori do të përcillet sot për në banesën e fundit. Në hollin e Radio Televizionit Shqiptar po zhvillohen homazhe për të nderuar kantautorin e njohur, i cili u nda nga jeta në moshën 35-vjeçare. Homazhet do të vijojnë deri në orën 11:00, kur Doktor Flori do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës. 

Florian Kondi u nda nga jeta mëngjesin e së hënës. Artisti 35-vjeçar nuk vuante nga ndonjë sëmundje, ndaj për të gjithë humbja e tij erdhi papritur. Është paradoksale: ai banonte vetëm pak metra larg Urgjencës së Tiranës e megjithëkëtë nuk ia doli dot. Ndërkohë pritet që mjekësia ligjore të nxjerrë zyrtarisht shkaqet e vdekjes nga rezultatet përfundimtare të toksikologjisë. 

Në shtëpinë e Florit dhimbja është e madhe. Ai ndërroi jetë në krahët e vëllait të vogël Albanit. Dr.Flori ishte i martuar prej vitesh me bashkëshorten Blerina, dhe ishte baba i dy fëmijëve, Kaltrinës e djalit dymuajsh. Djali i vogël i Dr.Florit erdhi në jetë në datën 10 
shtator. Ishte vetë këngëtari që lajmëroi për ardhjen në jetë të të birit, duke shkruar në profilin e tij zyrtar të "Facebook". 

KUSH ISHTE DOKTOR FLORI
Dr.Flori ishte një ndër tre anëtarët e grupit shqiptar të njohur me emrin "West Side Family". Rolandi, Miri dhe Flori, dikur shokë në një klasë, më pas anëtarë të një prej grupeve më të njohura muzikore të Shqipërisë. Pas suksesit të madh me këngën-hit 'Mesazh', shikohen në skenën e festivalit të "Këngëve të Stinës", por tashmë jo për të kënduar, por për të prezantuar. Ndërsa Doktor Flori, si pjesë e grupit mjaft të njohur "West Side Family" do të mbahet mend edhe për bashkëpunimin me ish-kreun e Bashkisë së Tiranës dhe ish-kreun e opozitës, tashmë kryeministër, Edi Rama. Kënga e parë e debutuar nga ata ishte "Tirona", prej nga doli edhe shprehja: "Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë". Në atë kohë, grupi i mirënjohur mbajti një koncert recital, me të ftuar special kryebashkiakun Rama. Kënga 'Tirona' ishte pa dyshim që i dha dhe famën më të madhe grupit të tre djemve. Në 2009-ën, 'West Side Family' u bashkua përsëri me Ramën, këtë herë për të sjellë këngën e fushatës elektorale. Në qershor të vitit 2013, Flori si solist tashmë publikoi një këngë, ku shfaqte dukshëm zhgënjimin që kishte marrë nga Partia Socialiste dhe nga Edi Rama. Megjithatë edhe kjo këngë shënjoi një 
sukses për këngëtarin e rrepit. Teksti i këngës i shkruar nga 35-vjeçari, "Zjarr e Ftohtë", i kënduar nga këngëtari Luiz Ejlli, fitoi në "Festivali i Këngës 44" dhe më vonë përfaqësoi Shqipërinë në "Eurovision Song Contest 2006". Florian Kondi ishte baba i dy fëmijë dhe në rininë e tij ka qenë pjesë e grupit "West Side Family". Ai ka marrë pjesë në disa festivale.

ERMAL MAMAQI: KISHTE KOHË QË S’MERRTE DROGË 
Miku më i afërt i Doktor Florit, këngëtari i njohur Ermal Mamaqi, tregoi se si e ka mësuar lajmin për ndarjen nga jeta të shokut të tij dhe dyshimet për ngjarjen. Mbrëmjen e djeshme, disa orë pasi trupi i pajetë i këngëtarit 35-vjeçar ishte dërguar për në banesën e tij, Mamaqi shprehet se ende nuk dihen shkaqet e vërteta që i sollën vdekjen mikut të tij. Ai tregon se tashmë janë në pritje të rezultateve që do të përcaktojë ekspertiza mjekoligjore për të mësuar atë që i ka ndodhur Dr. Florit. 

Nisur nga dyshimet kryesore të mjekëve ligjorë, që takikardia mund të ketë ardhur si pasojë e ndonjë mbidoze lënde narkotike, Ermal Mamaqi na përgjigjet se Flori kishte kohë që kishte hequr dorë nga përdorimi i drogës. Madje prej shumë kohësh ai ishte kthyer në një besimtar të devotshëm që shkonte vazhdimisht në kishë. Dhe për Mamaqin është kjo arsyeja që tashmë as ai vetë, miku i tij më i afërt, nuk është në gjendje të shpjegojë ngjarjen e papritur për të gjithë, ndarjen nga jeta të Doktor Florit. 

“Nuk di as vetë se çfarë të them. Ne po presim të gjitha rezultatet që do na thonë mjekët ligjorë, se çfarë do të dalë nga autopsia. Ai kishte kohë që e kishte lënë drogën”, u shpreh dje Ermal Mamaqi në një intervistë për gazetën “Panorama”. I pyetur rreth problemeve të mundshme ekonomike, apo problemeve shëndetësore të djalit të tij, të ardhur në jetë vetëm prej pak javësh, Mamaqi nuk dha detaje rreth tyre, pasi sipas tij nuk i takon që të komentojë probleme të tilla, edhe pse ato ekzistojnë. 
Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment