7 faktet/Pse shteti është bashkëfajtor për 4 të vrarët?

Nga dje deri sot duke dashur të lajnë duart nga përgjegjësitë, Policia dhe Prokuroria kanë fabrikuar një sërë alibish, që veçse i kanë rënduar më keq pozicionet e tyre. Policia e shtetit u bë përgjegjëse se kishte bërë të mundur vrasjen e 4 personave duke mos e arrestuar më parë Kostandin Xhuvanin. Pra edhe kur e kishte shpallur atë në kërkim për armëmbajte pa leje, kërcënim dhe qëllim me armë, në prill të këtij viti në Gjirokastër, ajo e kishte mbyllur çështjen ndaj tij. Natyrisht kjo qe bërë ngaqë ai ishte i biri i një deputeteje pro qeverisë dhe se arrestimi i djalit të saj do të krijonte probleme politike. 
7 muaj më pas, ata që donin të mbyllnin një problem më të vogël politik, tani hapën një problem disa fish më të madh, sepse ata që dje nuk donin andralla, sot mund të akuzohen për bashkëpunëtorë në krim.  
E vënë nën këtë akuzë Policia ka reaguar se ajo e kish mbyllur vënien në kërkim, pasi Kostandin Xhuvani nuk u gjet dhe më pas Prokuroria e mbyli çështjen e tij.  
Po a janë këto pretendime të besueshme? Natyrisht që jo. Dhe kjo për një varg arsyesh.  
Së pari sepse policia nuk tentoi ta kërkojë dhe prandaj nuk e gjeti. E njëjta polici që ngre grupe të mëdha për të kapur një vjedhës energjie, nuk denjoi ta bënte këtë për një person që dyshohej se kish qëlluar me armë në mes të Gjirokastrës. Dhe kujdes! Ishte një person përsëritës dhe që kishte një vrasje mbi shpinë.  
Së dyti përgjegjësia tjetër e Policisë është se ajo ka obligim t'i ketë nën mbikqyrje njerëzit që janë dënuar me parë për vrasje. Pra, edhe pa u shkaktuar incidenti i Gjirokastrës, Policia duhet ta kishte në ruajtje Xhuvanin. Jo vetëm që nuk e pati përpara, por as mbrapa.  
Së treti, për të shmangur skandalin politik, policia nuk e ka raportuar në komunikatën e saj të 26 prillit 2013 ngjarjen e Gjirokastrës. Pra që këtu duket tendenca për ta mbyllur aferën. 
Së katërti, pak kohë pas kësaj ngjarjeje, kur filloi operacioni i policisë në Lazarat, shumëkush e mban mend që në përforcim të saj shkoi në fshatin rebel edhe një grupim deputetësh të majtë me në krye Spartak Brahon dhe i përbërë nga deputetët Qefalia, Lutaj, Rama etj. Edhe atyre deputetëve (njëri prej tyre e konfirmon për Lapsi.al) iu tha shprehimisht nga drejtori i policisë së qarkut të Gjirokastrës, sot drejtor i madh i policisë kriminale se "problem kemi djalin e deputetes Luiza Xhuvani, i cili vazhdon të bëjë rezistencë me armë". Përsëri asgjë. Madje edhe pasi opozita e denoncoi këtë fakt, u krye ai spektakël i shëmtuar i takimit të nënës me të birin para selisë së Kuvendit dhe para gazetarëve. 
Thjesht një alibi politike si këto që po tentohen të prodhohen sot.  
Tani kur të gjitha këto dihen, Policia e Shtetit mbrohet me faktin se ajo e dërgoi çështjen në Prokurori dhe Prokuroria e mbylli dosjen. Por a mjafton ky justifikim? A duhej të mbyllej detyra e policisë vetëm me hartimin e raport shërbimit? Kjo është lufta me krimin, vetëm gjetja e alibive?  
Por mënyra se si rrodhën ngjarjet tregon se për një person që ka mbrojtje politike, ligji nuk e ka të lehtë të veprojë. Alibinë e Policisë që ia kalon topin Prokurorisë kjo e fundit e përcjell tek një tjetër institucion i shtetit: Tek Spitali Psikiatrik në Elbasan (alibia e pestë). Pra sipas Prokurorisë, për ngjarjen e Gjirokastrës, ku Kostandin Xhuvani ka kërcënuar me armë pa leje, ai nuk mund të merret i pandehur. Dosja mbyllet. Dhe argumenti është: në atë ditë dhe në atë orë, ky person ka qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit sepse u deh më shumë se ç'mbante. Argumenti është qesharak. Tipike nga ato që shpikin avokatët penalistë, për të mbyllur çështjet që i kanë vendosur më parë se do të mbyllen.  
Edhe për këtë alibi të gjashtë argumentat janë vështirësisht të besueshëm. Sepse duke njohur profilin social të Kostandin Xhuvanit, një mentalitet tipik prej të forti që qarkullon me armë me vete, që nuk ka frikë të qëllojë për vdekje njerëzit për arsye banale, çdokush do ta kishte të vështirë ta besonte se ai, i forti pra, nuk do ta kishte pasur për turp, të shkonte në një spital të "çmendurish", thjesht se nuk përballonte alkoolin. Kushdo që ka njohur në jetën e tij qoftë edhe një tip të tillë krimineli, do ta kishte të vështirë ta pranonte këtë alibi.  
Pra alibia vështirë të qëndrojë. Ajo në fakt i rëndon edhe më shumë pozitat e atyre që kërkojnë ta përdorin, sepse ajo implikon edhe një institucion tjetër publik (Spitalin Psikiatrik) në mbrojtjen e një krimi dhe të një njeriu me mbështetje politike.  
Por edhe nëse e marrim për të vërtetë se Prokuroria e ka marrë të mirëqenë këtë alibi. Pra, nëse besojmë se aty nuk është zhvilluar loja e zakonshme "ju na servirni një justifikim sa për të mbyllur dosjen", përsëri një pyetje e shtatë mbetet. A e bënë prokurorët punën e tyre deri në fund? A shkuan, hetuan, pyetën njerëz, i ballafaquan doktorë, infermierë, roje dhe personel spitali ata? Sipas komunikatës së Prokurorisë kjo punë del se është bërë në mënyrë të përciptë, pa hetuar dhe pa u thelluar. Parimi që është ndjekur në këtë rast është: çdo kriminel që ka një alibi, është i pafajshëm.  
Aq më tepër Kostandin Xhuvani e përfitoi këtë status sepse kishte mbrojtje politike. Jo thjeshtë mbrojtjen e nënës së tij Luiza Xhuvani. Ajo qe një deputete e parëndësishme dhe që nuk mund të ndikonte deri në këto nivele. Ajo qe zgjedhur e tillë vetëm për të lexuar fjalime siç bëri edhe me aktin e saj të mbramë në politikë. Por nga një kujdes për ta ruajtur Kostandinin, sepse "kundërshtarët politikë mund të na e përdorin si armë propagande kundër nesh". Kjo ka qenë arsyeja kryesore që krijoi një mori alibish për vrasësin e dyshuar të katër personave. Me këtë logjikë emri i tij nuk figuron në komunikatën e policisë në 26 prill 2014. Me këtë logjikë dosja e shpalljes së tij në kërkim u mbyll. Me këtë logjikë u inskenua ajo shfaqja e turpshme e takimit me mamanë, ndërkohë që ai i kishte rezistuar policisë me armë në Lazarat. Por e gjithë kjo taktikë kushtoi shtrenjtë. Kostandini u mbrojt nga krime të vogla deri sa bëri gjëmën e madhe. Dhe për këtë gjëmë sot janë fajtorë edhe të gjithë ata që krijuan dje dhe sot alibi për krimet e Kostandinit
Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment