Flamurin në Beograd e ngritën kosovarët nga Zvicra


Mediat kosovare shkruajnë sot se flamuri i Shqipërisë etnike që u ngrit mbrëmë mbi fushën e Beogradit, është vepër e shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në Zvicër. Gazetari dhe shkrimtari Faruk Tasholli, rrëfen për Telegrafin se flamurin shqiptar në qiellin e Beogradit e ngritën shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër, por për momentin, ata duan të mbesten anonimë. Ja bashkëbisedimi i tij me një nga autorët e këtij akti: "Pas mesnatës, pra rreth orës 1 e 30 minuta të ditës së sotme (15.10.2014), mora vesh për akterët që ngritën flamurin kombëtar shqiptar mbi stadiumin e Partizanit ne Beograd, ndërsa po zhvillohej minuta e 42 e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Me njërin prej tyre që e njihja, menjëherë rashë në lidhje dhe bisedova shkurt për ngjarjen. Por, për momentin, ai deshi të mbetet anonim për opinion. Gjithashtu më luti që edhe shokët e tij të mbeten anonimë për momentin, pasi u bie shpesh rruga nëpër Serbi dhe mund të ballafaqohen me pasoja. Kur hyra në lidhje, ata veç ndodheshin ne Kroaci dhe nuk kishin më ndonjë rrezik" Unë: Mora vesh se ti me disa shokë e ngritët flamurin kombëtar shqiptar mbi Beograd? Ai: Po. Ishim dhjetë shokë nga Zvicra dhe atje shkuam me pesë vetura me tabela zvicerane. Ta kalonim kufirin nuk patëm vështirësi, pasi ne kishim pasaporta zvicerane. Por në stadium, pasi e panë se i kemi emrat shqiptarë, nuk na lanë të hymë. Atëherë thamë me vete: Pasi nuk na leni të hymë, do të hyjë flamuri ynë dhe do ta shihni edhe ju edhe ne. Unë: Do të thotë ju flamurin e lansuat nga pozicionet jashtë stadiumit? Ai: Po ashtu bëmë. E përdorëm një dron (mjet fluturimi për lojëra në qiell), si e keni parë, e lëshuam dhe ai fluturoi me flamur i komanduar nga ne. Në ndërkohë i lëshuam edhe dy dronë vëzhgues. Prisnim edhe dy lansime t'i bënim, por për shkaqe sigurie, pasi ndryshoi situata, u desh të largohemi. Unë: Tash ku ndodheni për momentin? Ai: E kemi kaluar kufirin Serbi-Kroaci dhe po udhëtojmë drejt Zagrebit. Tash po ndalemi edhe pak të pijmë nga një kafe dhe vazhdojmë. Unë: Por unë desha që këtë ngjarje ta bëj publike, a ju prish punë? Ai: Nuk na prish punë, por nuk e bëmë të lavdohemi ne, por veç deshëm të tregojmë se me gjithë ndalesat, shqiptarët në një mënyrë i keni në stadium. Ndërsa, sa i përket vërtetësisë së ngjarjes, ne i kemi bërë edhe videoincizimet dhe i kemi me vete, por sonte është vonë dhe nesër kah mesdita mbërrijmë në Zvicër. Të gjitha do t'i bëjmë publike. Disa gjëra i kemi dhënë edhe në Facebook, por me emra përkëdhelës. Unë : Këtë bisedë po e jap për publik, e pastaj flasim nesër. Ai: U bë, natën e mirë! Pas bisedës, shikova profilin e bashkëbiseduesit në FB, prej nga kuptova se ai me disa familjarë vec kishte biseduar nga Beogradi për ngjarjen. Nga profili i tij i mora edhe fotot. Bashkëbiseduesi im është me prejardhje nga Lypjani dhe doktorant në njërin nga universitetet zvicerane.
Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment