Rikthehet dhuna në Superiore

Të tilla pamje (të cilat mund t’i shihni në fotoalbumin bashkangjitur artikullit) nuk janë marrë nga ndonjë luftë, por gjatë ndeshjes Vllaznia - Tirana, në “Loro Boriçi”.

Tifozëritë e të dyja skuadrave kanë qëlluar njëra-tjetrën me sende të forta, ndërkohë që gurëve nuk i ka shpëtuar as presidenti Refik Halili, i cili është gjakosur në kokë.





Rrëzimi i Elis Bakajt brenda zonës, në minutën e 63-të, dhe pretendimet e lojtarëve të Tiranës për një 11-metërsh kaluan në tribunën e tifozëve kryeqytetas, të cilit hodhën sende të forta në fushë dhe u kërkonin lojtarëve të linin ndeshjen.

Lojtarët dhe stafi drejtues i Tiranës kërkuan qetësimin e situatës, ndërkohë që forcat blu ushtronin dhunë ndaj tifozëve të Tiranës. Gjyqtari i ndeshjes ndaloi lojën dhe futbollistët bardheblu vrapuan drejt tribunës, duke u kërkuar forcave blu të hiqnin dorë nga kjo sjellje ndaj tifozerisë së tyre, e duke i marrë ata në mbrojtje.

Ndeshja rifilloi sërish pas 10 minutash, por goli i barazimit i Ervin Bulkut në sekondat e fundit, këtë herë nuk u përtyp nga tifozët shkodranë, të cilët pas përfundimit të ndeshjes dolën jashtë stadiumit dhe qëlluan me sende të forta tifozët e Tiranës.

Duke dashur t’u ikin gurëve, këta të fundit u futën në fushë, por dhe aty u përballën me të tjerë tifozë shkodran. Fusha, e cila deri në ato momente ishte shfrytëzuar për një ndeshje futbolli, tashmë ishte kthyer në një arenë gladiatorësh, ku çdokush mund të qëllonte pa asnjë problem, ndërsa policia u tregua e pafuqishme për të qetësuar situatën.

Mësohet se nga situata e tensionuar mes dy tifozerive jashtë ambienteve të stadiumit “Loro Boriçi”, ka mbetur i plagosur me thikë një person.

Nga njoftimet e fundit të raportuara nga korrespondenti i TCH në Shkodër, Ardi Hoti, është bërë e ditur se janë 5 efektivë të forcave policore të plagosur, 2 prej të cilëve me plagë në kokë, por për fat të mirë askush nuk është në rrezik për jetën. Ashtu sikurse janë dërguar në spital 6 tifozë, pa u specifikuar se të cilit ekip, sërish me plagë në kokë, por edhe këtyre nuk u rrezikohet jeta.

Ndërkohë, nga raportime të mëparshme nga vendngjarja, është mësuar se tifozeritë kanë qëlluar me karriget e stadiumit dhe shishe. Blutë e Shkodrës kanë qëlluar në ajër me armë për të shpërndarë tifozët pas ndeshjes, por kjo ka qenë e kotë, pasi sherri u zhvendos edhe jashtë stadiumit.

Tifozët kanë dëmtuar edhe makina të shumta, ndërsa policia, në pamundësi për t’i shpërndarë, ka futur brenda stadiumit tifozët e Tiranës, me shpresën se do të largohen tifozët e Vllaznisë. 






Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment