Brazili në gjysmëfinale, Kolumbia ikën me nder

Qendërmbrojtësit e çojnë pentakampionin në përballjen me Gjermaninë. Kolumbiani Rodrigez shënon golin e gjashtë në këtë Kupë Bote. Pritej të ishte e tillë: betejë brenda rregullave të lojës dhe jashtë tyre.


Kjo sepse në këtë Kupë Bote, përballjet mes ekipeve latine u kthyen në derbi apo në klasike. E tillë ishte dhe Brazil-Kolumbi, një ndeshje që i pati të gjitha brenda, një ndeshje, që ndryshe nga çerekfinalja e parë mes Francës dhe Gjermanisë, dhuroi emocione pa fund. Skolari dhe Pekerman hedhin në fushë formacionet e tyre më të mira, por natyrisht disi të “arnuara” në bazë të strukturës së kundërshtarit. Kështu, te Brazili ishte titullar Maikoni dhe jo Alveshi, ndërsa Fernandinjo dhe Paulinjo ishin të dy bashkë nga minuta e parë, kur në ndeshjet e shkuara zëvendësonin njëri-tjetrin. Kolumbia do të hapë një vend në formacion për Fredi Guarin, ndërsa fatet e fazës sulmuese janë në shpinën e të riut Hames Rodrigez, që duhet të mbështetet nga krahët nga Viktor Ibarbo dhe Huan Kuadrado, ndërsa pykë është Teofilo Gutierrez e jo Xhekson Martinez. Por ka gol që në shkëmbimet e para të topit. Kolumbia ndëshkohet në zhvillimet e një goditjeje këndi, kur pjesa dërrmuese e lojtarëve synojnë shtyllën e parë dhe harrojnë Tiago Silvën në të dytën. Mbrojtësi i Paris Sën Zhermenit realizon me portën e boshatisur dhe çon Brazilin në avantazh. Pritet një reagim i Kolumbisë, por loja e “los kafeteros” është shumë e rrëmujshme në sulm, Kuadrado dhe Ibarbo në krahë nuk ritmin e duhur dhe kjo pasqyrohet në çdo aksion, ku në të paktën dy prej tyre ishin situata superioriteti numerik që mund të ishin shfrytëzuar më mirë. Nga ana tjetër, Hulk dhe portieri Ospina e kthejnë në duel mes tyre, por gol nuk do të ketë dhe pjesa e parë mbyllet 1-0. Në të dytën sërish pritet reagimi i Kolumbisë, por është i vakët, ndërsa Brazili realizon golin e dytë. Një goditje e shkëlqyer dënimi e David Luizit shkon në rrjetë dhe lojtari i Çelsit feston si e çmendur. Pekermani kërkon me ndërrimet e tij të kthejë diçka në lojë dhe do t’ia arrijë në minutën e 80-të, kur Hames Rodrigez shënon nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa në aksion portieri Zhulio Sezar, që kreu faullin, ia hedh vetëm me një karton të verdhë. Minutat e fundit janë agoni për Brazilin, që rrethohet nga të gjitha anët nga Kolumbia, por “Seleçao” arrin të mbajë fitoren dhe shkojnë në gjysmëfinale, ku përballë do të kenë Gjermaninë. Për Kolumbinë ka vetëm fjalë të mira. Një botëror i shkëlqyer ku humbi vetëm këtë ndeshje, ndërsa Hames Rodriguez ka realizuar deri më tani 6 gola, duke qenë edhe kandidat kryesor për “Këpucën e Artë”. Skolari, nga ana tjetër duhet të bëjë hesapet me mungesën e Tiago Silvës të skualifikuar, ndërsa duhet parë edhe gjendja e Nejmar Zhuniorit, që e la ndeshjen me barrelë në minutën e 88të.
Shperndaje Google Plus

About shqip

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment